Një të shtunë vjeshte

                                                                            ____________   Një të shtunë vjeshte…

 

    

              Ishte e shtunë mbasdite. Një e shtunë e mërzitshëme me shi si të gjitha të shtunat e mia dështake të fundmuajit. Ditët me mot të mirë kishin ikur duke ia lënë vëndin freskisë dhe shirave të vjeshtës. Në dy të shtunat e para të atij moti vjeshtak edhe pse bashkat e pëhimta të reve i qëndronin pezull qytetit, nuk kishte rënë shi. Ai kishte filluar pikërisht të shtunën e tretë të muajit dhe vazhdonte të binte parreshtur, here i qetë dhe herë me vetëtima të zhurmëshme dhe të frikshëme. Tutje, përtej horizontit nga ku deti bëhej i padukshëm, grumbulli i reve kullonte ngjyrimet e ylberit, ndërsa  nga perëndimi, kupa e qiellit mblidhte mbi qytet me atë heshtimin e saj të gjërë ato të pakta jehona të jetës, që i kishin mbetur qëkurse të ardhurit për verim ishin larguar dhe ai tashmë ishte kredhur përsëri pothuajse i tëri në atë monotonin e tij të zakonshme. Nuk di nëse e vështroj unë atë peisazh griror, apo ai kërkonte të më joshte me heshtjen e tij për të më nxjerr jashtë atij ambient vetmitar, pasi asaj dite kisha vendosur të mos dilja prej apartamentit tim të thjeshtë ende  pa ndonjë komoditet të spikatur,me po ato orendi të vjetëra, të dala mode e disi të pluhurosura më tepër prej tymit të duhanit dhe pluhurit të rrugës, që më kishin lënë prindërit, që kurse ishin vendosur aty, në katin e pestë të një godine tetëkatëshe, diku në periferi të qytetit. Nuk di përse më kishte hipur në kokë që asaj të shtune të qëndroja i vetëm me atë heshtjen time, si kërmilli  i mbyllur në guackën e tij. Ngaqë nuk kisha ndërmënd ta kaloja kohën ashtu kot, në limonti, i isha  afruar dritares së ballkonit dhe që prej andej  kisha nisur të  vështroja pothuajse pjesën më të madhe të qytetit të larë prej atij distili të hollë, e, s’kisha të ngopur me atë pejsazh natyror dhe me atë freski ajri që më mbushte mushkritë. Të provuarit e një ndjesie të tillë më ka pëlqyer qëkurse kam qënë fëmijë. Asaj kohe vija ashtu, një çomarrok i vogël,që nuk lija dy gur bashkë dhe kur binte shi,ngandonjëherë dilja me të shpejt edhe zbathur nga shtëpia ime përdhese dhe luaja në pellgaçet përpara oborrit me ca lëvozhe pishe, të cilat i bëja si varka të vogëla me vela dhe i shtyja në  ujin që pluskonte.Më kish qëlluar që të qëndroja dhe me orë të tëra nën shiun e imt. Një ditë ndërsa po luaja ashtu , si kisha mundur të imitoja një Karaka të  vjetër Ilire, që po më ngazëllente teksa voziste si të ishte prej vërteti e lëshuar në ujërat e një deti të trazuar, as që e kisha vënë re shiun, që më kishte bërë ujë nga koka deri tek këmbët dhe mamaja porsa më pa, më rrëmbeu prej krahu dhe më rrahu paq, sikur të mos kishte ndodhur aty gjyshja ime e ngratë,që më shkëputi prej duarve të saj duke i këputur njëmijë e njëqindë të shara, nuk e di se si do të më kishte bërë, e megjithatë mua nuk mu hoq që nuk mu hoq ajo ndjesi për shiun, por përkundër nga viti në vit më forcohej gjithnjë e më tepër.Më pas, mes asaj qetësie përgëdheltare i hodha sytë përgjatë vijës së hollë të plazhit të argjënd, që menjëherë mbyllet prej ndërtimeve të shumta pa leje, që i kanë zënë frymën detit. Përmes palmave, ligustërave dhe pishave të gjelbra, që shkojnë pothuajse deri buzë ujit, mezi arrija të dalloja varkat e vetmuara të peshkatarëve, të cilët si kishin gjuajtur gjatë gjithë natës, tani padyshim duhet të ishin futur si zakonisht në ndonjë bar aty pranë për të pirë,siç dinin të pinin ata përherë, deri në dehje, kurse tutje, shumë metra larg bregut, në thellësi të detit, ku aty - këtu grironin disa anije, që prisnin për tu ankoruar në kalatat e portit, zogjtë e detit brofnin e rreknin me vrik flatrat, të trëmbur e të gënjyer prej motit të lagësht. Shiu dhe pse i hollë linte bulëzat e tij mbi xham e ato herë formonin ca vija të drejta, herë përdridheshin duke krijuar një mori figurash të çuditshëme dhe herë qëndronin aty, sikur donin të fjaloseshin me mua. I gjithë ambient i apartamentit tim ishte kredhur në  heshtje, në një heshtje ëmbëlake dhe mua më dukej sikur ajo heshtje kërkonte  me ngulmë të ravijëzonte portretin tim mbi lëkurën e panjomur të xhamit. E vetmja që prishte ngandonjëherë atë heshtje ishte cicërima e thekshëme si kurrë ndonjëherë e kanarinës së verdhë, që jetonte në mbretërin e saj të izolimit.Kanarina s'ma ndante atë shikimin e saj lutës,mëshirues dhe hera - herës si për të më tërhequr vëmëndjen, kërcente inatçore sa në njërin cap të kafazit në tjetrin duke i ngulur ato kthetrat e saj gjithë mllef e nervozizëm e më pas më kallte tmerrin me ca cicërima si guitja e një kukuvajke të padukshëme, të humbur diku  apartamentit apo ambientit të jashtëm. Befas, nga ana tjetër e xhamit mes atyre qindra e mijëra imaxheve që herë më lëbyrnin sytë e herë më arratiseshin larg në papërcaktueshmëri, më shfaqet dalngadalë imazhi monstruoz i një fytyre, që me ato kacavjerrjet e saj të mundimshëme nuk di pse kërkonte të depërtoj në thellësi të shikimit të syve të mi, të kapet pas përvijimeve të portretit tim, të thyej atë të pakët tejdukshmëri të xhamit  dhe të hyj brënda. Në fillim mu bë fare e papërcaktuar, si e zhytur mes një mjegullime vjeshtullore, por që pak nga pak përvijimet e saj po bëheshin gjithnjë dhe më të dallueshme sa mend më ngurosi dhe aty për aty më kris mendimi që të dilja jashtë dhe ta rrokja me gjithë forcën, ta shkulja prej andej siç do të kisha guxuar të shkulja një lule të vyshkur prej vazove të pravazit të ballkonit dhe ta përplasja mbi pllakat e plasaritura të trotuarit të qullëzuar.Të platitej atje nën shiun dhe ujërat e tij, që vinin e mbidheshin aty nga ana e anës,të pastër dhe të ndotur, prej kullimit të udhëve dhe prej gjirizeve të kanaleve ku gjallonin minjë të të gjitha racave dhe të gjitha madhësive. Përse vinte e më shfaqej përsëri si atyre netëve të para pas ikjes në ato mori ëndërrash gjysmake, të çala e pa lidhje? C'kërkonte më prej meje kur vet i kishte këputur të gjitha nyjet që na kishin mbajtur të lidhur? E megjithëse s'po ia ndaja sytë, me një kënaqësi mizore në shpirt, përsëri në mëndje më vinin një mori mendimesh nga më të çuditshmet dhe nga më të dhimbshmet, me ca idera therëse, që kurrë ndonjëherë më parë nuk kisha patur guximin ti nëpërmendja, që më flaknin si me magji gjithçka sa kisha besuar gjer atij çasti në vetvete, të cilat më dilnin si prej kushedi se çfarë thellësish të pa zbuluara, të panjohura më parë të shpirtit tim, të nxitura prej kushedi se çfarë forcash të brëndëshme të panjohura, vetëm e vetëm që të mund ti bëja ball atij ravijëzimi , që përpos mospërfilljes, më ngjallte ndjenjën e neveris dhe të  harresës.Nuk doja ta kisha më pranë, madje as të këmbeja qoftë edhe një fjalë të vetme me të.C'kutim kishte tani pas kaq kohe dhe pas asaj ikjeje përçmuese? I pushtuar prej një drithërime tinzare, doja ta largoj një minutë e më parë atë imazh, por edhe pse i shtrëngova qepallat deri në dhimbje dhe tërbim, përsëri e ndjeja që e kisha të pamundur. Nuk mundesha ta largoja, ashtu sukurse nuk mundesha të pranoja se për aq kohë nuk e disha dashur me gjithë forcën e shpirtit dhe se kisha bërë të pamundurën për t'i dhënë gjithçka që kam patur të shtrenjtë.Shpesh e kam ndjer veten të mbërthyer përpara këtyre asociacioneve të pashmangshëme . Nuk kam as më të vogëlën dëshirë që të ndjej përplasjen e vështrimit të saj në timin. I jam frikur gjithmonë rrëmbimit dhe mania e persekutimit, që kurse ajo, pas atij akti, që nuk kishte të bënte me mua, por me dikë tjetër, që kishte hyr si vemja  në kokërën e mollës, grisi gjithë krijimet e mia dhe u largua duke më hedhur tërë mllef e saj me një lloj arrogance të shfrenuar, sikur të më kishte goditur me një mori shuplakash fytyrës, më ka ndjekur përherë nga pas. Atëherë si në sanjë moment tjetër të jetës kisha ndjer atë çarje kraharori dhe përpëlitjen më të madhe të zemrës, si të ishte përpëlitja e një shpirti të vrarë prej një morie të paparë gurmprehtësh pabesie. Do të kisha pranuar më mirë që ta nxirrja jetën time jashtë prej vetes dhe t’ia besoja në shenjë hakmarrjeje, fatit të rrebeshit të shiut, qoftë edhe duke e  ndjer peshën e një dhimbjeje të përgjakshme, se sa të mbaja mbi supe hijen e atij poshtërimi. A nuk do të ishte më mirë sikur të mbetesha përjetësisht i çmëndur prej atij rrebelimi shiu, se sa të ndjeja edhe një herë shpimin therës të atij shikim të saj të egër, si prej gjarpëri shkretëtire? Më mirë të nxirrja jashtë sytë dhe të mbaja brënda zemrën. Fundja ç’do tu bënte ajo më tepër suve të mi nga ç’u kishte bërë ditës që u largua? Prej asaj figure të ravijëzuar nga ana tjetëe e xhamit u shkëput një bulëz uji dhe ra përdhe si të binte një zog i vogë i qëlluar kushedi se prej kujt.Për herë të parë gjatë asaj kohe ndjeva një drithërim trupi, një keqardhje të pashpjegueshme dhe mënd më erdhi zor prej vetes.Përse ndodhi kështu? Përse duhet të më binte mua një risk i till? E teksa po mendoja kështu, pas pak ndjeva sikur nga ana tjetër e xhamit lëshoheshin hera - herës ca klithmave të buta dhe përnjëherësh pas krahve ndjeva si të më prekte dikush me një dorë të butë. Nuk guxoja të ktheja kokën dhe atji çasti një rrënqethje e beftë m’a përshkoi gjithë trupin. Mendimi se ajo duhet të kishte bërë të kundërtën e asaj që unë kisha patur ndër mend, më tmerroj. Eshtë e çuditshme vërtetë kur e mendon se sa më shumë që kërkon ti shmangesh një diçkaje, aq më shumë të duket sikur atë e ndjell dhe hija e saj të ndjek pas çdo hapi deri në një pikëtakimi. I ktheva ngadalë shpinën xhamit dhe për disa sekonda qëndrova ashtu duke mbajtur vesh e duke vështruar ngjyrën e butë të kaltëreme të murit përball.Kuptova se ishte lëvizja e perdes së rëndë prej taftaje, që mu duk si dora e saj.Dhe tani që ajo e ndjente veten të braktisur prej të gjithëve dhe të shkretë , vjen e më fanepeset si një fantazëm, e hollë dhe e ngurtë, e shndërruar në ca pika shiu, pa e kuptuar as vet verbërin e saj, që i vjen prej atij mëkati, për të cilin është e shtrënguar të vuaj për shumë kohë. Unë e di se çfarë do ti duhet të përballojë dhe të duroj deri në sakrificë. E kam të fiksuar në mëndje ,ashtu siç të fiksohet diçka që ka të bëjë me ngacmimet e pakushtëzuara. Le të vuaj edhe për sa kohë aty prej lagështisë, të torturohet e poshtërohet më pare se prej meje dhe të njerëzve, prej vetvetes. Një grimë mu bë sikur ajo ishte diku në dhomën time të gjumit, mbi krevatin tim të parregulluar, duke ia hedhur shikimin e saj indiferent rrëmujshmëris së saj.Një zë i brendshëm më thoshte se ajo më priste.Nuk i rezistova dot tundimit.Me një lëvijzje të dëshpëruar i ktheva shpinën xhamit të ballkonit.  Kur u afrova me majë të gishtërinjëve tek dera e dhomës, me një tjetër parandjenjë të zymtë, nën shkëlqimin e bruztë të saj, vura re se ajo e kishte nuhatur pranin time.E pash tek qëndronte ashtu gjysmë lakuriqe, pa e marrë mundimin të vishej, apo qoftë edhe për ta mbuluar atë lakuriqësi me një rrobë të çfardoshme prej të mijave dhe flokët e gjatë i kishte hedhur si ngaherë perpara.  Dukej sikur para disa minutave i kishte shkuar fytyrës një grusht ujë e megjithatë nuk kishte mundur ta fshinte përlotjen prej syve, prej atyre syve të vegjël si të një drenusheje të djallëzuar,të cilët ashtu si dhe fytrën e kishte ende të mbufatur dhe të përzverdhur. Nuk isha në gjëndje të përcaktoja nëse ajo mezi arrinte të shqiptonte pakuptimshëm disa fjalë, që i dridheshin nëpër ato buzët e holla , apo këndonte një këngë të përvajshme si kuisja e një koneje të lënduar. Më vështroi e shqetësuar e nisi të qante me ngashërim. Më dukej më e zbehtë se kurrë,gati gati si një pemë e tharë, e plakur disi parakohe dhe e shkundur gjethesh prej vjeshtës. Sytë i kishin marrë atë dritën e pakuptimshme të jonjerëzorëve. I Imponuar prej një ambicjeje sovrane,nuk doja ta shfaqja në prani të saj nervozitetin tim. Nuk doja të ngjallja tek ajo ndjenjën e frikës. Mendoja se duhet të tregoja përpara saj se edhe në kësi rastesh nuk kisha përse ta humbisja respektin ndaj femërores dhe se duhet të bëja patjetër diçka të mjaftueshme për të krijuar një atmosferë sa më ë qetë që të ishte e mundur. Nuk doja të shfaqja hijen e një vrasësi dhe pse po e ndjeja veten të turbulluar, thuaje e kisha humbur sensin e të gjeturit të një formuleje të përshtatëshme për të ngjallur atë ndjenjën e besimit fizik jo vetëm në vetvete, por edhe përpara saj.Nuk kisha pse ta fshihja.Ishte e bukur,e hajthëme, epshndjellëse.Jashtë, në ajërin e lëngëzuar, era që shfrynte permes reve, të cilat afroheshin e ngriheshin bashkë si për të hijeshuar ashtu qiellin e përhimtë, kishte nisur të binte muzgu jeshil,që vinte si lëngata e largët e dallgëve të detit. Ngriti paksa sytë dhe më vështroi si e limaksur, duke mbajtur me myshkun e afshit te saj femëror njërën dorë në gjirin e vogël e të zeshkët, që sakaq i lëvizte nën buzë, sikur të donte t’i kërcente jashtë dhe tjerën duke e zgjatur drejt meje. Teksa po ndjeja atë thirrmën e zvargur të detrave të saj të burgosur, në damarin e saj blu, të kërcyer fare pranë radiusit, vura re një curril të holl gjaku, që si shkoi deri në unla, i cili zuri të pikonte në fillim me pikëla të vogëla e më pas gati si një currilë uji,  duke përskuqur çarçafin e bardhë. Qëndroja si i gozhduar tek pragu i derës me atë ngulmimin monoton të pikës së shiut, të atyre pikave që kishin ravijëzuar mbi xham portretin e saj duke u kacavjerrur, të cilin unë nuk kisha dashur  ta fusja brënda apartamentit tim, sikur ta kisha parandjer fundin e saj, i nxitur prej një mendimi të zymt, që m'a kishte terrisur shpirtin, prej një mendimi vetmitar e vrastar të pashqitshëm, për të cilin mendoja se ishte po aq i pandalshëm nga ai zhurmërim i dhimbshëm, që ma kishte shkallmuar pothuajse gjithë trupin, të atij mendimi të cilin e kisha riformatuar dhe ridemensionuar kaq e kaq here në mënd, duke e dyzuar me një paralelizëm gati - gati fëmijëror. Atij çasti vetja mu duk si të isha një tigër i egërsuar me sy të shndritshëm,që bulëron e kërcen përpjetë duke rrahur bishtin e tij të fuqishëm me të nuhatur aromën e mishit dhe të gjakut. Nuk doja ta lëndoja më shumë nga ç’kishte guxuar ajo të lëndonte vetveten. Ndonse i mbërthyer prej një sigurie të egër, që më bënte tepër gjakftohtë, i vajta pranë i tmerruar dhe syçakërrisur. Tëmthat zunë të më zhurmëronin gjithnjë e më shumë kur po e vëreja se si trupi po i përkundej si të ishte i pushtuar i tëri prej një gjumi ëmbëlak e ëndrrimtar,që sa vinte dhe e mbërthente pothuajse me të njëjtin ritëm të rrahjeve nervore të tëmthave të mia, e që më pas si tallazitej një herë nëpër atë dhomë të kredhur në gjysmëerrësirë, niste të bënte ca vajtje - ardhe të rrufeshme të shpirtit prej tokës në përjetësin e në të kundërtën. Diku pranë jastëkut  më zunë sytë  një copë letër të palosur në katërsh, në të cilën ajo kishte mundur të shkruante diçka para se të kryente aktin e vetvrasjes. Nuk m’i ndante sytë, pa më të voglën lëvizje të fytyrës. Vetëm buza e poshtëme, të cilën e kishte paksa më të kërcyer se të sipërmen, i vibronte si një katërspanjë e hollë. Si ia mbështeta kokën në jastëk dhe futa letrën në xhepin e pantallonave, u ktheva tek pragu dhe më pas si vajta tek telefoni, ngrita receptorin për të formuar një numër.Kanarina e verdhë me sy të përulur në atë muzgullim të apartamentit, dukej sikur zhbironte çdo lëvije timen.Ndihesha jashtëzakonisht i qetë, megjithse prisja që nga çasti në çast të vinin për të më arrestuar.Jashtë ishin ndezur dritat e rrugës, ndërsa shiu vazhdonte ende të binte me po atë ritmin e rij monoton..

 


Contact

Faqjaletrare

L.14 P. 8 katësh kull 2
shkozet
durres


00355 53 264168